Frika nga përgjimi, deputetët gjuajnë gazetaret me SMS të koduara
Politikanët përshtatin kodin e komunikimit që përdorin adoleshentët. “Të dua shumë” është zëvendësuar me “TDSH”, “të puth fort” me “TPF”
Erald Kapri
A është mirë të kesh pushtet? Këtë pyetje bën studiuesi amerikan Glen Tinder, i cili shfaq shqetësimin se abuzimi me pushtetin, kryesisht për çështje personale dhe intime, është fenomen i mbartur dhe i pranuar nga shoqëria njerëzore. Pushteti në Shqipëri natyrisht nuk mund të jetë ideali, përkundrazi, shfaq edhe elementët më minimalë të abuzimit me ndjenjën e të qenit i pushtetshëm. Gjatë një takimi mëngjesi mes një grupi reporterësh të rinj, një gazetare relativishit e re në moshë filloi të merrte mesazhe nga një deputet, ish-ministër dhe me pushtet të prekshëm. Për rreth 15 minuta në telefonin e saj tingëlluan disa mesazhe, të cilat ishin jo më shumë se 3 germa. Me një ndjenjë humori, por edhe e përfshirë nga një ankth i brendshëm, reporterja dhe kolegia na tregoi mesazhet që i kishin ardhur nga deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. “TDSH” ishte mesazhi i parë që simbolizonte togfjalëshin “të dua shumë”. “TKXH” ishte mesazhi i dytë, që përkthehej “të kam xhan”, ndërsa mesazhi i tretë kalonte direkt e në temë, duke kërkuar marrëdhënie intime me gazetaren. Pjesëtarët e tjerë në tavolinë u stepën për një moment duke filluar më pas të qeshnin. “Më ka ndodhur dhe mua një rast i tillë para pak kohësh me një deputet”, - tha një gazetare tjetër. Pohimi i saj çliroi tavolinën, pasi të gjithë filluan të japim një pjesë nga jeta e tyre personale. Ndoshta rastësi, por të gjitha gazetaret në tavolinë kishin pasur të paktën një rast identik në jetën e tyre ku ishin gjuajtur me SMS të koduara.
Rastet
Çdokush kishte ruajtur në memorien e celularit ndonjë mesazh të tillë. Më i çuditshmi ishte një mesazh i pazakontë që kishte ardhur nga një deputet për një gazetare simpatike. Mesazhi shkruante “VUPT”. “Çfarë është kjo? Çfarë kuptimi ka?”, - pyetën të tjerët. Gazetarja, duke mbajtur veten me zor nga të qeshura, tha: ”VUPT do të thotë vdeksha unë për ty”. E qeshura përfshiu jo vetëm pjesëtarët e tavolinës, por edhe qytetarë të tjerë në bar, të cilët ia plasën gazit për nga shpërthimi i së qeshurës së gazetarëve. Të qeshurat përfunduan shpejt dhe në tavolinën e gazetarëve ra një qetësi ku askush nuk foli për disa minuta. Përtej groteskut, etika dhe raportet që ruan gazetari mes opinionit dhe elitës së vendit u respektuan edhe në këtë çast grotesk. Përtej mesazheve dhe kuptimit të tyre, të bie në sy shkurtimi i strukturave të fjalëve. Natyrisht që lind pyetja: pse kjo mënyrë e të shkruarit të SMS-ve?
Frika nga përgjimi
Mes deputetëve ka lindur dyshimi, por edhe bindja se ata përgjohen, por njëkohësisht dihet që kompanitë celulare mund të transkriptojnë pa problem të gjitha mesazhet e shkruara. Frika nga përgjimi kishte detyruar deputetin që në emër të pushtetit të tij të kërkojë marrëdhënie jashtë martesore me disa germa nga celulari. Një kod i veçantë komunikimi, i cili nuk është larg kodeve komunikues që përdorin adoleshentët. Deputetët “adoleshentë” kishin frikë nga përgjimi i telefonave të tyre celularë dhe kjo i kishte detyruar që të barazoheshin me adoleshentët e mijëvjeçarit të ri. Komunikimi i adoleshentëve të sotëm është e mbushur me zhargone të krijuara nga teknologjia më e fundit e komunikimit. Shkurtimi i fjalëve vlen edhe për të thënë sa më shumë mendime brenda një SMS-je të vetme, e cila kushton 14 lekë. Frika se mos përgjohesh apo se mos mesazhet telefonike përfundojnë në duar të dyshimta ka transformuar pushtetin. Deputetët janë të tmerruar nga përgjimet, madje po t’ua përmendësh atë, hedhin sytë nga telefoni dhe mendohen për ndonjë telefonatë jo të rregullt që mund të kenë bërë. Kjo frikë është kaq e fortë, sa një grup deputetësh, jo më i vogël se 30 veta, kërkuan ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar mbi mundësinë e përgjimit të deputetëve nga telefoni celular. Ndonëse ky komision ka disa muaj që po kryen hetime, ende nuk ka dalë gjë në dritë, por përsëri deputetët e këtij komisioni akuzojnë qarqe të caktuara se po tentohet të pengohet puna me qëllim mos nxjerrjen e së vërtetës. “Po përgjohemi në celular”, - thuhet rëndom nga deputetët. Gjithsesi, ideja e përgjimit të paligjshëm ka transformuar të pushtetshmit në adoleshentë. Ngjyra e pushtetit nuk ka ngjyrë thonë…
Shprehjet më të përdorura
TDSH (të dua shumë)
TKXH (të kam xhan)
TKSH (të kam shpirt)
TPF (të puth fort)
JSSH (je si shpirt)
JSHS (je shumë seksi)
JSY (je si yll)
THZ (të hënasha zemrën)
VUPT (vdeksha unë për ty)
KDT (kur do takohemi)
ILY (i love you)
MMSH (më mungon shumë)
PTTM? (po ty të mungoj?)
NM (ndiej mall)
JPKS? (je për kafe sonte?)
Shkurt 25th, 2008 më 1:58 pm
interesant si shkrim
Shkurt 25th, 2008 më 2:06 pm
VUPT (vdeksha unë për ty)
Prill 25th, 2008 më 3:56 am
Nuk eshte e cuditshme, ata me pushtetin e tyre kan bere lloj-lloj krimi jo te ngacmojn nje gazetare me sms te koduera.