Berisha tërhiqet përballë akademikëve
Kryeministri Berisha heq dorë nga disa pika të reformës së Akademisë së Shkencave. Akademikët do të trajtohen njësoj financiarisht dhe do të ketë akademikë të përjetshëm, por pa specifikuar kushtet Erald Kapri Berisha tërhiqet përpara akademikëve. Kryeministri Sali Berisha, dje, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, është shprehur se pas disa konsultimeve të bëra lidhur me projektligjin për Akademinë e Shkencave, projekti në fjalë do të ketë modifikime. Kundërshtimi i ashpër i akademikëve, por edhe e faktorit politik të brendshëm, ka bërë që kryeministri të ndryshojë disa pika të reformës. Pika më e rëndësishme, e cila është që mosha mbi 70-vjeçare nuk lejon të jesh në Akademinë e Shkencave, kryeministri e ka zgjidhur duke caktuar se do të ketë akademikë të përjetshëm. Ky titull, sipas Berishës, do të jetë për figura që janë të njohura dhe kanë dhënë për vendin, por nuk ka specifikuar kriteret të cilat do të mundin të japin një titull të tillë. “Shumica e vendeve kanë të përcaktuar moshën si kriter për akademikët, por krahas kësaj, është e domosdoshme që të ketë edhe akademikë të përhershëm. Të tillë do të jenë njerëzit me kontribute të mëdha”, - tha kryeministri. Një tjetër aspekt, ai i trajtimit financiar, kryeministri tha se kush fiton titullin “Akademik”, edhe pse nuk mund të jetë pjesë e Akademisë së Shkencave, do të mund të trajtohet njësoj financiarisht. “Gjithsesi, dua të qartësoj se askujt nuk i hiqet titulli “Akademik” dhe trajtimi është identik, pa asnjë ndryshim, përsa i përket shpërblimit. Qeveria ka bërë një vendim në muajin prill, në të cilin ajo merr përsipër të shpërblejë përjetësisht titullin “Akademik”, pavarësisht në se ata janë akademikë nderi apo akademikë në funksion, apo të përhershëm”, - tha Berisha. Analiza Kryeministri nuk analizoi në grupin parlamentar të partisë së tij, arsyen e ndryshimeve të këtyre pikave duke theksuar se ky ishte edhe vullneti i qeverisë që ai drejton. Gjatë mbledhjes së grupit të PD-së, kryeministri u ndal në pjesën administrative të Akademisë së Shkencave, duke theksuar në efektivitetin e këtij institucioni shkencor. “Natyrisht, në formën aktuale të organizimit në Akademi do të ketë njerëz me rrogë, si kryetari i Akademisë, sekretari i Përgjithshëm dhe ndonjë funksion që do ta gjykojë vetë Asambleja. Ndërsa të tjerët, pa përjashtim, do të kenë të njëjtin trajtim. Mendoj se ky ligj nuk ka ndonjë komplikim. Ai finalizon reformën në mënyrë përfundimtare dhe me vendosjen e akademikëve të përhershëm u jep zgjidhje edhe problemeve të lindura”, - përfundoi për këtë çështje kryeministri. Prej disa javësh, politika, por edhe bota akademike, ka qenë e përfshirë në një debat në lidhje me funksionimin e ri të Akademisë së Shkencave. MbledhjaKartolina e Vitit të Ri do të jetë një shpërblim për pensionistët dhe rrogëtarët shtetërorë, të cilët do të përfitojnë përkatësisht 5 mijë lekë për çdo pensionist, ndërsa rrogëtarët do të trajtohen me pagë të trembëdhjetë. “Kjo shumë shkon rreth 30 milionë dollarë. Por pavarësisht kësaj, ky vendim ka në vëmendje dy gjëra: e para, festat e fundvitit nuk mund të bëheshin pa një shpërblim për ta. E dyta, në këtë mënyrë iu dha përgjigjja më e merituar inflacionit. Kjo gjë mbi-indekson pensionet dhe me këtë shpërblim tejkalohet qartësisht niveli i inflacionit. Ky është një lehtësim shumë i madh për ne. Këtë vendim qeveria do ta sjellë si dekret tek ju dhe shpresojmë që të miratohet sa më shpejt. Do të operohet me dekret për faktin se ai duhet të hyjë menjëherë në fuqi, para votimit, në mënyrë që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të ndërmarrë të gjitha masat për dhënien sa më shpejt të kësaj shume”, - tha Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së. Kryeministri kërkoi në fundin e mbledhjes edhe miratimin sa më të shpejtë të ligjit për ushqimin dhe shpejtimin e punës në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese. Të hënën, Bashës qytetar i thjeshtë, pritet t’i hiqet imuniteti Ditën e hënë Kuvendi pritet të miratojë raportin e përgatitur nga Këshilli i Rregullores së Mandateve për heqjen e imunitetit të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Kryetarja e këtij Këshilli dhe e Parlamentit, Jozefina Topalli, u shpreh e gatshme në emër të maxhorancës që ky raport të votohet, duke bërë që ministri Basha të mos ketë imunitetin e deputetit, por të gëzojë privilegjet e një njeriu të thjeshtë. “Ndërkohë, ne kemi një çështje në dorë, të cilën kurrsesi nuk mund ta lëmë të kalojë në sesionin tjetër. Po kështu, kemi marrë një vendim dhe kemi shprehur një vullnet që brenda këtij sesioni duhet hequr imuniteti i z. Basha, ndaj unë ju paraqes sot një draft-raport për të cilin ju duhet të jepni mendimet tuaja”, - tha Topalli. Kryetarja e Këshillit të Mandateve shtoi se ky draft, për deputetin Basha duhet të paraqitet sa më shpejt në Kuvend, në mënyrë që ditën e hënë të finalizohet votimi. “Një bazë mbi të cilën mund të punojnë ose jo të dyja palët, por që deri të mërkurën raporti përfundimtar duhet të depozitohet, në mënyrë që Këshilli ta miratojë të enjten. Ai do të votohet në seancë plenare. Në rast se nuk ndiqet kjo procedurë, kërkesa për heqje imuniteti kalon në sesionin tjetër dhe rregullorja nuk të jep mundësi të ecësh përpara. Unë kërkoj nga ju që raportin ta keni dorëzuar të mërkurën, me qëllim që të hënën në Kuvend të bëhet votimi”, - tha kryetarja Topalli. Opozita ka kërkuar që kjo çështje të ndiqet seriozisht dhe që Prokuroria të ketë të njëjtin ritëm pune që pati nisur ish-kryeprokurori Sollaku, duke kërkuar që prokurorët e kësaj çështjeje të mos ndërrohen. “Vlerësojmë vullnetin e qartë të shprehur nga znj. Topalli për heqje imuniteti. Është një vullnet që duhet përshëndetur, por prokurorja e Përgjithshme të mos ndryshojë prokurorët që e kanë hapur këtë çështje dhe vullneti i organit të akuzës të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse një nga stacionet e reja ku kalon rruga Durrës-Kukës është edhe Prokuroria e Përgjithshme”, - u shpreh deputeti socialist Petro Koçi Rrogëtarët, shpërblim ose pagë të trembëdhjetë Ndryshe nga pensionistët, të cilët do të kenë një shpërblim për festat në masën e 5 mijë lekëshit, rrogëtarët do të trajtohen ndryshe. Institucioni përkatës do të marrë vendimin sipas buxhetit të tij, në rast se do të ketë pagë të trembëdhjetë ose një shpërblim jo më të madh se 10 mijë lekë. Pikërisht do të jetë vetë institucioni shtetëror ai që do të vendosë për masën e dëmshpërblimit dhe jo qeveria. Në varësi të buxhetit, por edhe të rezultateve në punë, do të vendoset edhe masa e dëmshpërblimit. Shumë institucione shtetërore kanë statusin e të pavarurit dhe vendos vetë për shpërndarjen e fondeve. Këtë fakt e konfirmoi edhe kryeministri Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së. “Ndërkohë, shpërblimi i punonjësve të administratës është i përcaktuar në fondin e pagave dhe ajo shpërndahet nga të gjitha institucionet, sipas përcaktimit që ka”, - tha Berisha. PDK-ja festoi 16-vjetorin e krijimit të saj Partia Demokristiane ka festuar 16-vjetorin e krijimit të saj si parti politike, duke qenë nga partitë e para të pluralizmit të Shqipëri. Në një ceremoni të organizuar ditën e djeshme, kryetari i kësaj partie, Nard Ndoka, e cilësoi këtë përvjetor si një vlerë e demokracisë shqiptare, ku në emër të vlerave demokristiane u martirizuar mijëra shqiptarë. “Kjo është dita e rilindjes së vlerave demokristiane, për të cilat u martirizuan qindra e mijëra shqiptarë gjatë viteve të errëta të diktaturës. PDK, e krijuar më 11 dhjetor të vitit 1991, shpejt u shndërrua në një forcë konkurruese të shoqërisë shqiptare, duke marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet lokale e parlamentare. Duke filluar me pjesëmarrjen në zgjedhjet e 22 marsit 1992, rezultatet e saj kanë pësuar rritje nga viti në vit. Tashmë PDK-ja është ngjitur në kuotat më të larta dhe ka një hartë të fitoreve të saj, duke dhënë kontributin në qeverisjen e vendit”, - tha Ndoka. Në festën e demokristianëve merrnin pjesë kryeministri Berisha, politikanë, gazetarët dhe qytetarë të jetës civile në vend.