Amendamenti: Pronarët në bregdet, me Ligjin 7501, janë të paligjshëm Pozita dhe opozita përplasen në Kuvend për shfuqizimin e Ligjit 7501. Amendimet e republikanit Arjan Madhi shtyhen për votim ditën e hënë, për shkak të mungesës së deputetëve. Opozita kërkon praninë e kryeministrit Berisha Erald Kapri Debati i ashpër, por edhe mungesat e shumta në sallë, kanë shtyrë për ditën e hënë miratimin e projektligjit për anulimin e fuqisë ekzekutive të Ligjit 7501 “Për tokën”. Këto amendime të rëndësishme janë shpërfillur nga ministrat, të cilët munguan në sallën e Kuvendit, me përjashtim të Enkelejd Alibeajt, i cili nuk ka të drejtë vote. Opozita ka kërkuar që qeveria të shikojë me vëmendje çështjen e pronave. Deputeti republikan Arjan Madhi, njëkohësisht edhe propozuesi i këtij ndryshimi, u shpreh se anulimi i Ligjit 7501 do të mbyllte konfliktet e mëdha që kanë kapur shoqërinë shqiptare. Kjo pikë është mbështetur edhe nga Partia Demokratike, e cila, nëpërmjet kryetarit të Grupit Parlamentar, Astrit Patozi, u shpreh se anulimi i këtij ligji do të shërbejë për mbylljen e abuzimeve që po u bëhen pronave. Partia Socialiste ka kundërshtuar amendimin e deputetit Madhi, duke u shprehur se nuk bëhet e qartë se cili do të jetë misioni i anulimit të këtij ligji dhe se nuk garantohet se do të dalin në pah abuzimet me pronën. Nënkryetari i Grupit të PS-së, Erion Braçe, u shpreh se në të kundërt, anulimi i këtij ligji do t’u hapë rrugën abuzimeve me pronën.ProjektligjiProjektligji i deputetit Madhi koncepton se Ligji 7501, i cili u miratua në ditët e para të pluralizmit, i ka dhënë efektet e veta juridike, pasi procesi i ndarjes së sipërfaqeve për subjektet e përcaktuara në ligj ka përfunduar, duke bërë që ky ligj të realizojë objektivin e tij. Arjan Madhi bëri të ditur se misioni i tij ka përfunduar dhe tashmë ai po përdoret për abuzime të shumta që po i bëhet pronës. Sipas tij, të dhënat paraprake flasin për një sasi toke e cila kap shifrën 563 mijë hektarë, që është ndarë sipas Ligjit 7501, ndërkohë që e pandarë ose në pronësi të shtetit mbeten rreth 137 mijë hektarë. Njëkohësisht, Madhi, në prezantimin e nismës së tij, vuri në dukje se synohet të shtyhet afati i regjistrimit të pasurive, me qëllim që t’u lihet më shumë kohë pronarëve, duke qenë se është konstatuar që procesi zvarritet për shkak të burokracive. Këtë nismë të republikanit e ka pranuar njëzëri edhe opozita. Axhenda e Kuvendit kishte edhe një projektligj të dytë në lidhje me amendimin e ligjin mbi pronën. Ky amendim i dytë kishte të bënte me ndryshime në kthimin dhe kompensimin e pronave, por që shumë pika nuk gjetëm mbështetje të maxhorancës. Ditën e hënë, ku pritet të ridiskutohen këto amendime, pritet që kryeministri Berisha të japë edhe qëndrimin e tij, pasi edhe opozita ka kërkuar që ai të mbajë një qëndrim dhe, pse jo, një qëndrim të njëjtë me opozitën për këtë çështje. Opozita Opozita ka kërkuar më shumë vëmendje politike për këto amendime të rëndësishme, duke kërkuar prezencën e ministrave të sallë, pasi asnjë prej ministrave të kabinetit nuk ishte prezent, me përjashtim të ministrit të ri të Drejtësisë, Alibeaj, i cili nuk ka të drejtë vote. Projektligji i dytë bënte fjalë për kthimin dhe kompensimin e pronës. Madhi tha se duhet të ndahen trojet e lira për ish-pronarët, që janë 26 mijë hektarë, nga pushteti vendor. Deputeti Madhi është shprehur se në bazë të Ligjit 7501, tokat që janë dhënë në bregdet janë dhënë vetëm për t’u përdorur për një periudhe të caktuar kohe dhe jo për t’u bërë pronë nga këta individë. Sipas tij, nëse një person që ka përfituar tokë në bregdet nëpërmjet Ligjit 7501 e ka përfituar atë në mënyrë të kundërligjshme, ndaj dhe do t’i merret për t’ia dhënë pronarit të vërtetë. Amendimet e Madhit cilësojnë se personat që kanë ndërtuar sipas ligjeve në truallin e të tjerëve, duhet të paguajnë tokën në bazë të çmimeve të tregut. PS dhe LSI: “Dakord bashkëpunimit për reformën në Drejtësi” Partia Socialiste ndryshon kursin e qëndrimeve të mëparshme dhe në vend të bojkotit jep “Ok” për të bashkëpunuar me maxhorancën për realizimin me sukses të reformës në Drejtësi. Qëndrimi i ri i selisë rozë është bërë publik pas deklaratës së djeshme të deputetit të saj, Fatmir Xhafaj, i cili shprehu gatishmërinë e PS-së për të kontribuar dhe bashkëpunuar për reformën në Drejtësi. “Partia Socialiste gjen rastin të rishprehë edhe një herë gatishmërinë për të kontribuar e bashkëpunuar me të gjitha ata faktorë brenda e jashtë sistemit që kërkojnë reformimin e vërtetë të sistemit të drejtësisë për të garantuar pavarësi dhe përgjegjshmëri, eficensë e transparencë të Gjyqësorit në dhënien e drejtësisë ndaj qytetarëve të këtij vendi”, - u shpreh Xhafaj. Burime nga selia rozë bën të ditur se vendimi për të mos bojkotuar reformën zgjedhore, erdhi si rezultat i prioriteteve të shpallura nga presidenti Bamir Topi në lidhje me këtë sistem. Këto prioritete të shpallura nga Topi kanë qenë pothuajse të njëjta me përmbajtjen e platformës për reformën në Drejtësi, që Partia Socialiste hartoi disa kohë më parë dhe ia u propozoi maxhorancës dhe partive të tjera të opozitës. “Përderisa shqetësimet tona dhe zgjidhjet që ne ofrojmë janë të njëjta me ato që u shpallën nga Presidenti i Republikës për reformën në Drejtësi, nuk kemi përse të mos bashkëpunojmë”, - pohuan burime nga Partia Socialiste. I kontaktuar nga gazeta “Albania”, nënkryetari dhe deputeti i LSI-së, Dritan Prifti konfirmoi vullnetin e kësaj force politike për të bashkëpunuar për çështjet kryesore që janë në interes të vendit. “LSI është një forcë politike, e cila nuk ka si mentalitet dhe strategji bojkotin, por pjesëmarrjen, diskutimin, debatimin dhe ofrimin e alternativave për të gjetur zgjidhjet më të mira dhe më efikase për çështjet delikate dhe kryesore të vendit. Nuk do të kishte kuptim që LSI, të bojkotonte një çështje shumë të rëndësishme, që përbën edhe një nga kërkesat e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar në drejtim të politikës shqiptare”, - u shpreh Prifti. Pavarësisht se dy partitë e mëdha opozitare kanë dhënë “Ok” për të bashkëpunuar për kryerjen me sukses të reformës zgjedhore, ato kanë kërkuar nga maxhoranca një bashkëpunim serioz dhe që të mos fsheh qëllime për uzurpime dhe vënien nën tutelë të sistemit gjyqësor. Në konferencën për shtyp të djeshme, deputeti socialist Xhafaj deklaroi se gatishmëria që ofron opozita nuk duhet të shërbejë si fasadë në këtë reformë: “Opozita nuk mund e nuk do të pranojë të shërbejë as si fasadë dhe as si garniturë për të justifikuar uzurpimin politik të institucioneve të pavarura, apo më keq, të shërbejë si alibi për të shpallur konsensus artificial përballë partnerëve ndërkombëtarë”, - u shpreh ai. “Ora e Shqipërisë”, krijohet partia më e re shqiptare Quhet “Ora e Shqipërisë”. Kjo është partia më e re në listën e madhe të partive politike shqiptare. Dje, kryetari i saj, Zef Shtejfni, në një konferencë për shtyp, ka shpallur krijimin e partisë më te re shqiptare “Ora e Shqipërisë”. Sipas Shtejfnit kjo parti do të jetë një forcë politike me orientimin e qendrës së djathtë. Ai u shpreh se forca që përfaqëson dhe drejton do të jetë mbështetëse e reformave të qeverisë në këto dy vjet, investimet publike afatgjata, si dhe buxhetin e vitit 2008, si më i mirë i paraqitur ndonjëherë nga ndonjë qeveri në këto 17 vitet e pluralizmit. “Partia ORA do të bashkëpunojë ngushtë me forcat politike, kryesisht të djathta, për të realizuar sa më mirë shërbimin ndaj qytetarëve të këtij vendi”, - tha Shtejfni. Meta: “Rinia e sotme do ta ndryshojë politikën shqiptare”Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka marrë pjesë dje në Konventën e Parë Studentore të Lëvizjes Rinore për Integrim, në një takim entuziast dhe me pjesëmarrjen e qindra të rinjve. Duke folur në këtë takim, Meta shprehu keqardhjen për mosrealizimin e ëndrrave dhe aspiratave të të rinjve të viteve ‘90, të cilët përmbysën diktaturën komuniste në Shqipëri. Por kreu i LSI-së shprehu besimin e plotë se tranzicioni i stërzgjatur shqiptar, shumë shpejt do të marrë fund falë përfshirjes, angazhimit dhe kontributit të rinisë së sotme shqiptare në skenën politike. “Më lejoni të hedh vështrimin 17 vite më parë, atëherë kur Shqipëria përpiqej që të ndahej nga një sistem, i cili e kishte mbaruar me kohë rolin e tij, atëherë kur rinia e Shqipërisë, kur studentët e Shqipërisë ishin ata që me guximin, besimin dhe me sinqeritetin e tyre e ndihmuan Shqipërinë të ndahej me një të kaluar që nuk prodhonte më të ardhme dhe të hynte në një rrugë të re, në atë të demokracisë dhe të integrimit europian. Sot 17 vjet më pas edhe pse vendi ka ndryshuar jo pak, përsëri Europa është një ëndërr. Përsëri na ndodh që sa më tepër ne afrohemi, jo rrallë Europa na largohet. Na ndodh që të biem edhe në dëshpërim, edhe në mërzi pasi duket sikur gjërat kanë ngecur dhe kemi hyrë në një rreth vicioz, të cilin nuk e thyejmë dot. Por me këtë rini që shoh këtu, jam i bindur që ky rreth vicioz do të thyhet në radhë të parë nga ju dhe bashkëmoshatarët tuaj”, tha Meta. Kreu i LSI-së inkurajoi të rinjtë e pranishëm, dhe ftoi të gjithë brezin e të rinjve shqiptarë që me angazhimin e tyre të ndryshojnë politikën dhe të realizojnë aspiratat e të gjithë shqiptarëve, për të pasur një Shqipëri europiane. Shaban Sulçe