Banka Botërore, parashikime të erreta per biznesin
Raporti i Bankës Botërore parashikon se situata për vitin e ardhshëm për ambientin lidhur me regjistrimin e një biznesi nuk parashikohet të përmirësohet. Mbyllja e një biznesi në Shqipëri konsiderohet ende si më i vështiri Erald KapriHapja e një biznesi të ri në Shqipëri përsëri ka vështirësi të shumta, të cilat rëndojë mbi sipërmarrësit e rinj që duan të investojnë, apo për investitorët e huaj. Praktikisht duhet një mal me para dhe 26 ditë kohë që të hapësh një biznes të ri. Banka Botërore, nëpërmjet projektit të saj “Të bërit biznes”, shprehet se Shqipëria, gjatë vitit 2008, nuk pritet që ta përmirësojë situatën në këtë çështje. Indikatorët në rastin konkret parashikohen që nuk do të lëvizin, duke lënë të nënkuptuar që situata në ambientin ekonomik në lidhje me biznesin do të jetë e njëjtë me vitin 2007. Ambienti ekonomik vlerësohet si i mirë me anë të indikatorëve në fushën dhe aktivitetin e biznesit, pra në uljen e procedurave dhe korrupsionit në administratë, por një gjë e tillë pritet të jetë edhe problemi i vitit të ardhshëm. Tashmë është përcaktuar se procedura e zgjatur dhe korrupsioni janë dy problemet kryesore që kanë ndikuar dhe po ndikojnë në ambientin ekonomik të Shqipërisë. Vendi ynë radhitet i 136-ti në listën me 178 vende të botës përsa i përket mënyrës dhe rrugëve të lira për të bërë biznes. Përsa u përket procedurave për hapjen e një biznesi të ri, do t’ia kalojmë vetëm një vendi gjatë vitit 2008, duke qenë në vendin e 123-të, nga vendi 124 që jemi këtë vit. Shqipëria zë vendin e fundit përsa i përket mbylljes së një biznesi dhe vështirësitë e një falimentimi. Të mbyllësh një biznes në Shqipëri mbytesh me borxhe, duke bërë që shumë biznese thjesht nuk shpallin falimentin për këtë çështje, por, nga ana tjetër, “mbysin” ekonominë. Një situatë e tillë është pranuar edhe nga autoritetet shqiptare, të cilat janë shprehur se gjysma e bizneseve shqiptare janë të mbytura në borxhe.Të bësh biznesTë bësh biznes në vendin tonë është vërtet një procedurë e lodhshme, ku duhet të harxhosh kohë, por edhe shuma të konsiderueshme parash. Duhen 51 mijë lekë të rinj minimalisht dhe vetëm për punën procedurale, pa llogaritur “zarfet poshtë derës”, si dhe 36 ditë kohë që biznesi yt të rreshtohet në tregun e lirë. Raporti i Bankës Botërore ka analizuar të gjithë këtë proces, pra ka matur kohën dhe çdo shumë lekësh që i duhen një subjekti për t’u bërë biznes. Dita e parë nis me emrin identik të kompanisë, e cila të ha një ditë kohë për shkak se emri duhet unik dhe jo i ngjashëm. Të njëjtën kohë të ha edhe kalimi i kapitalit të nevojshmë në bankë. Noterizimi i dokumentacionit do të njëjtën kohë, një ditë pranë një noteri. Vështirësia më e madhe është në faktin e regjistrimit të subjektit në gjykatë, pasi, sipas specialistëve të Bankës Botërore, duhen minimalisht 18 ditë që të marrësh vendimin e gjykatës. Një kohë goxha të konsiderueshme do të hajë edhe regjistrimi pranë organeve tatimore, si dhe marrja e certifikatës tatimore do të kërkojë një kohë totale prej 10 ditësh. Vështirësi do të ketë edhe në disa procedura të tjera, si regjistrimi i biznesit në Inspektoratin e Punës, regjistrimi në një dhomë tregtie për t’u përfaqësuar, pagimi i taksa lokale, regjistrimi në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si dhe hapja e kompanitë. E gjithë kjo procedurë, e cila në pamje të parë paraqitet e thjeshtë, do të hajë minimumi 5 ditë. Regjistrimi në gjykatë Ekspertët e Bankës Botërore, në raportin e tyre cilësojnë se në realitet kërkohet një kohë e gjatë në Gjykatën e Tiranës për të regjistruar biznesin, duke hedhur edhe tezën e korrupsionit në këtë gjykatë. Kështu, sipas ligjit, duhen 8 ditë që të jepet vendimi nga Gjykata e Tiranës për formimin e një biznesi të ri, por ekspertët e Bankës Botërore kanë evidentuar se në realitet nevojitet më shumë. Një problem tjetër është edhe “mali” me dokumente që duhen për të shkuar në gjykatë. Sipas ekspertëve, shumica e tyre fare mirë mund të mos kërkoheshin, por Ligji numër 9751, “Për regjistrimin e kompanive”, kërkon një procedurë të tillë, por kjo situatë duhet të ndryshojë. Procedura e regjistrimit
| Nr: | Procedurat | Koha: | Kostoja: |
| 1 | Emri i kompanisë | 1 ditë | E pandryshueshme |
| 2 | Depozita e kapitalit në bankë | 1 ditë | E pandryshueshme |
| 3 | Noterizimi i dokumentacionit | 1 ditë | Lek 10 500 |
| 4 | Regjistrimi i dokumentacionit në Gjykatën e Tiranës | 18 ditë | Lek 1 500 |
| 5 | Regjistrimi në organet fiskale për certifikatën fiskale | 10 ditë | E pandryshueshme |
| 6 | Regjistrimi i biznesit në Inspektoratin e punës | 1 ditë | E pandryshueshme |
| 7 | Regjistrimi në një dhomë tregtie për tu përfaqësuar | 1 ditë | Lek 20 000 |
| 8 | Pagimi i taksave lokale | 1 ditë | Lek 25 000 |
| 9 | Regjistrimi në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore | 1 ditë | E pandryshueshme |
| 10 | Hapja e kompanisë | 1 ditë | Lek (3,000 - 5,000) |
| 11 | Totali | 36 ditë | Lek 51 000 |
Premtimi për regjistrimin e biznesit brenda ditës Qeveria ka filluar realizimin e një reforme, e cila u quajt si Reforma Rregullatore, me qëllimin uljen e barrës administrative për biznesin dhe sektorin privat në përgjithësi. Ekzistonte një premtim se me hapjen e Qendrës Kombëtare të Biznesit, një subjekt do të regjistrohej në një ditë, por një gjë e tillë deri në këto momente nuk ka funksionuar. Ndonëse Qendra Kombëtare e Regjistrimit ka disa muaj që funksionon, mbajtja e premtimit ka qenë e pamundur për qeverinë me reformën e saj. Në periudhën afatgjatë synohej përmirësimi i cilësisë së shërbimit dhe eficencës gjatë ofrimit të këtij shërbimi si dhe reduktimi i korrupsionit gjatë regjistrimit të biznesit. Kjo do të arrihet nëpërmjet krijimit të një modeli tërësisht të ri, i cili do të realizojë regjistrimin e biznesit në një herë të vetme. Qendra Kombëtare e Biznesit do të shërbejë si one-stop-shop për regjistrimin e biznesit, por që ende nuk po jep rezultatin e duhur. Këto masa do të çojnë në reduktimin e ditëve të regjistrimit nga 47 ditë në 1 ditë, reduktimin e përqindjes së biznesit që paguan ryshfet gjatë regjistrimit dhe ofrimin e shërbimit on-line. Në përputhje me Planin e Veprimit për Reformën Rregullatore, në sistemin e licencimit puna do të kryhet në dy faza: rishikimin tërësor të sistemit të licencimit për reduktimin e pengesave administrative ekzistuese, dhe rishikimin e detajuar të kuadrit ligjor për çdo sektor duke për caktuar statusin aktual në lidhje me përputhshmërinë e tij me “Acquis communautaire” si dhe përcaktimin e masave për harmonizimin e tyre. Deri tani kjo reformë nuk ka funksionuar. “Heritage Foundation”, prona dhe korrupsioni mbajnë peng Shqipërinë Indeksi i lirisë ekonomike, publikuar në Uashington nga gazeta “Wall Street” dhe nga organizata amerikane “Heritage Foundation” saktëson se Shqipëria ka një liri ekonomike prej 61.4 për qind. Niveli i lirisë në ekonomi është rritur me 0.6 për qind gjatë vitit 2007 dhe duke u nisur nga këto detaje, jeta në Shqipëri, cilësohet nga raporti, është nën nivelin mesatar. Në përgjithësi, niveli në Shqipëri është pak i ngjashëm me vendet e tjera të Ballkanit, si Kroacia dhe Maqedonia, por përsëri mbetet shumë mbrapa me vende si Greqia, e cila është pjesë e Bashkimit Europian. Liria fiskale, liria nga qeveria, liria monetare janë të larta, por pikët Shqipërisë i redukton performanca e dobët në të drejtat e pronës dhe liria nga korrupsioni. Ky raport është prezantuar para përfaqësisë më të rëndësishme të biznesit në botë, atë të Wall Street, të përfaqësuar nga të gjitha vendet e botës. Shqipëria është rreshtuar në vendin e 30-të në listën e 41 vendeve europiane dhe e 66-ta nga 161 vende të botës në vitin 2007. Duke iu referuar indeksit të publikuar, ekonomia e Shqipërisë është në zhvillim. Duket se problemet parësore që ndikojnë keq për Shqipërinë janë çështja e pronës dhe korrupsioni. Problemi i pronës në Shqipëri ka mbetur i pazgjidhur për shkak të ndërhyrjeve të politikanëve dhe të problemit ligjor, përmendet në raport. Shqipërisë i janë rritur pikët të shtatë vitet e fundit, por kjo rritje gjatë viteve ka qenë e vogël në krahasim me shumë vende. Shqipëria në përgjithësi ka taksa të ulëta dhe duket se rezultatet e luftës kundër korrupsionit do të japin pikët e dëshiruara për Shqipërinë. Rezultati i këtij raporti e rendit Shqipërisë në vendin e 66-të nga 161 vende të ekzaminuara nga raporti i Heritage Foundation. Pavarësisht se Shqipëria në vitet e fundit po ecën para, përsëri liria për të investuar një investitor i huaj mbetet e pakët. Raporti i Heritage Foundation ka si synim këtë gjë, që të tregojë se sa e lirë është një ekonomi për të investuar. Ky është edhe përfundimi i raportit të kësaj organizate me qender në Wall Street.