BSH: “Nuk kemi detyrim për floririn e sekuestruar, fjalën e ka qeveria”
Banka e Shqipërisë shprehet se nuk ka detyrime të prapambetura ndaj ish-pronarëve për çështjen e floririt. Sipas saj, nga viti 1992 Banka ia ka nisur nga e para dhe është detyrimi i qeverisë të shprehet për floririn Erald Kapri Banka e Shqipërisë përjashton veten e saj nga përgjegjësia për ndarjen e floririt të konfiskuar gjatë sistemit komunist. Burime zyrtare pranë Autoritetit Qendror Financiar bëjnë të ditur se Banka e Shqipërisë nuk ka trashëguar asnjë detyrim të prapambetur të shtetit shqiptar apo të vetë bankës, që do të thotë se nuk njeh asnjë pretendim nga palët mbi pronësinë e arit që ajo disponon në Thesarin e Shtetit. Titullarët e Bankës së Shqipërisë shprehen se me Ligjin e vitit 1992 “Për funksionimin e Bankës së Shqipërisë”, nuk i ka njohur asaj atribut që të mbajë përsipër barrën e floririt që u është konfiskuar familjeve gjatë sistemet komunist. Reagimi i Shoqatës “Pronësi me drejtësi” për kthimin e arit të grabitur ka ngritur debatin mbi kthimin e metalit të çmuar familjeve që u përkasin. Zgjidhja e kësaj çështjeje duket se do të ketë një debat të ri. Banka e Shqipërisë e zotëron këtë ar së bashku me dokumentacionin përkatës dhe e ruan këtë pjesë në Thesarin e Shtetit, por ajo nuk merr përsipër që ta kthejë këtë flori pa një detyrim ligjor që duhet ta marrë përsipër qeveria. Banka e Shqipërisë pret që qeveria të marrë iniciativën për të nisur procedurat e ligjit dhe vetëm pas miratimit në Parlament, Autoriteti Financiar mund të kthejë arin që u përket familjeve. Banka Kthimi i sistemit demokratik në vendin tonë në vitin 1992, bëri që edhe Banka e Shqipërisë, krahas ndryshimit të emrit nga Banka e Shtetit Shqiptar në Bankën e Shqipërisë, të ndryshojë edhe detyrimet e saj. Detyrimet e Bankës Qendrore nuk shtrihen vetëm në fushën e rregullimit të sistemit financiar, por që nga ky vit kjo bankë ia nisi punën nga e para. Konkretisht, ekspertët e Bankës së Shqipërisë shprehen se ligji mbi funksionimin e saj të vitit 1992 përcakton të gjitha funksionet, por pa detyrime të trashëguara nga e kaluara nga mëma e saj. Ekspertët shprehen se çdo ndërhyrje e mundshme si çështja e kthimit të floririt të konfiskuar do të bëhet me ligj të veçantë. Kjo gjë nuk parashikohej vetëm në Ligjin e vitit 1992, por edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe në ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, ku ishte specifikuar se dy ose tre vite mbas hyrjes së fuqi të Kushtetutës, duhet të miratohej ligji për kthimin e pasurive të luajtshme ose floririt. Moshartimi i këtij ligji ka irrituar pronarët duke kërkuar shpjegime dhe njëkohësisht të kërkojnë nga Banka e Shqipërisë të respektoje Kushtetutën për të kthyer floririn. Përgjigjja e Bankës së Shqipërisë është e prerë: “Ne nuk kemi detyrime ndaj palëve të treta, kjo është përgjegjësi e qeverisë”. Sipas Ligjit të vitit 1992, i cili është ligji bazë për funksionimin e Bankës së Shqipërisë, pavarësisht ndryshimeve në vite të tij, Banka luan një rol ruajtës të thesarit dhe nuk mund të ndryshojë destinacionin e thesarit. Ligji i ka njohur atribut Bankës Qendrore që të blejë e të shesë ar dhe metale të tjera të çmuara, si dhe gurë të çmuar për llogari të vetë asaj dhe për llogari të të tretëve. Kërkesa“Nuk e kuptojmë se pse Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk e kthen floririn kur ai e ka detyrim kushtetues. Inventarin e ka, procesverbalet e sekuestrimeve i ka, të gjitha ekzistojnë, janë të pacenuara në bankë dhe nuk ka asnjë shkak që këto pasuri të luajtshme të mos kthehen”. Kështu u shpreh sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së ish-pronarëve, duke shtuar se guvernatori Fullani u ka deklaruar atyre se pret miratimin e ligjit. Përveç pjesës së disponimit të arit dhe dokumentacionit, Banka e Shqipërisë shprehet se roli i saj në këtë mes është vetëm “gardiane” e thesarit dhe jo tjetërsimit të tij. Ligji i vitit 1992 KAPITULLI III VEPRIMTARITË KRYESORE TË BANKËS Neni 13 Banka e Shqipërisë ka kompetenca dhe mban përgjegjësi në veprimtaritë e mëposhtme: a) Të miratojë e të zbatojë politikën monetare, me qëllim që të plotësojë detyrat e përcaktuara në nenin 3; b) të mbikëqyrë e të rregullojë sistemin bankar të Shqipërisë me qëllim që të sigurojë veprimin dhe zhvillimin e tij; c) të veprojë si emetuesja e vetme e monedhës së vendit në Republikën e Shqipërisë si në kartëmonedhë, ashtu edhe në monedhë metalike; ç) të zbatojë politikën e shtetit për kursin e këmbimit, duke përfshirë licencën, rregullimin dhe kontrollin e veprimeve të këmbimeve me jashtë; d) të veprojë si këshilltare për Këshillin e Ministrave për çështje ekonomike; dh) të skontojë kambiale, çeqe, obligacione dhe instrumente të tjera detyrimesh; e) të blejë e të shesë obligacione dhe letra të garantuara, të emetuara nga institucionet financiare dhe bankare shqiptare e banka të huaja; ë) të blejë e të shesë ar dhe metale të tjera të çmuara, si dhe gurë të çmuar për llogari të vet dhe për llogari të të tretëve; f) të blejë e të shesë mjete ndërkombëtare të pagesave, si valutë e mjete të tjera, të administrojë rezervën ndërkombëtare të shtetit dhe të ndihmojë në zgjidhjen e përshtatshme të veprimeve ndërkombëtare; g) t’u ofrojë kredi institucioneve bankare e financiare; gj) të emetojë letra me vlerë për llogari të shtetit dhe për llogari të vet; h) të veprojë si bankiere me institucionet financiare, qeveritë e huaja dhe agjencitë ndërkombëtare; i) t’i japë paradhënie ose hua monetare shtetit; j) ruan thesarin e shtetit. Detyrimi për kthimin e floririt të konfiskuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka njohur në nenet e saj pronën dhe detyrimet që ka shteti ndaj saj. Detyrimi Kushtetutës shprehej se brenda dy ose tre viteve duhej të miratohej ligji për kompensimin dhe kthimin e pronës, si asaj të paluajtshme, ashtu edhe asaj të luajtshme. Kushtetuta hyri në fuqi më 28 nëntor të vitit 1998, por ligji për kthimin dhe kompensimin e pronës së paluajtshme u miratua në vitin 2004, çka theu detyrimin kushtetues. Ndërkohë, një tjetër detyrim që nuk është respektuar ende, edhe pse kanë kaluar 9 vite nga miratimi i Kushtetutës, ligji për kthimin e pasurisë së luajtshme, pra kthimin fizik të floririt dhe të kompensimit financiar të mallit të konfiskuar gjatë viteve të para të komunizmit në bazë të ligjit mbi tatimin e jashtëzakonshëm. Qeveria ka detyrimin kushtetues që ta kthejë dhe ta kompensojë këtë pasuri, e cila, ndonëse në vlera miliarda dollarë, është e mbështetur në ligjin themeltar të shtetit. Fatura e lartë financiare për kthimin e pasurisë së luajtshme të konfiskuar në komunizëm tregon pasurinë e lartë që kishin shqiptarët para 60 viteve, por edhe vështirësitë e shtetit të sotëm, i cili po trashëgon detyrime të larta. Misteri: A është përdorur floriri nga Banka e Shqipërisë? Ligji i vitit 1992 i njeh atribut Bankës së Shqipërisë që të blejë e të shesë ar dhe metale të tjera të çmuara, si dhe gurë të çmuar për llogari të vet dhe për llogari të të tretëve. Njëkohësisht, roli i saj është edhe ruajtja e thesarit të shtetit. Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë është 2 miliardë dollarë, ku një pjesë e saj është ar. Nuk bëhet e ditur se në çfarë përqindje e kësaj rezerve është flori dhe metale të çmuara, pasi konsiderohet sekret bankar i rëndësishëm dhe ruhet me ligj fshehtësia e saj. Misteri në këtë rast lind me faktin se a e ka të disponueshëm Banka e Shqipërisë arin e mjaftueshëm për të kompensuar sasinë e pretenduar për ish-pronarët. Bëhet fjalë për një sasi prej 273 tonësh flori të konfiskuar, që shteti shqiptar u detyrohet ish-pronarëve. Kjo sasi ari ka një vlerë që sot arrin në masën e miliardave dollarëve. Natyrshëm lind pyetja se a e disponon Banka e Shqipërisë këtë ar, sa është përdorur ari gjatë viteve dhe sa ka në Thesarin e Shtetit. Njëkohësisht lind pyetja se sa do të dëmtohet shteti nga heqja e thesarit të vet të një sasie të tillë ari. Ka një detyrim kushtetues që kjo pasuri duhet të kthehet, por që ende nuk është zbatuar.