Dështojnë investimet publike, 50% realizimi në terren

  Realizimi i investimeve publike është më i ulët nga sa është paraqitur. Projektet deri në këto momente nuk e kalon gjysmën e realizimeve Erald Kapri Investimet publike, kundrejt deklaratave të Ministrisë së Financave apo të Transporteve, nuk ka kaluar realizimin faktik në terren më shumë se 50 për qind, duke qenë larg programimit qeveritar. Ndonëse deklaratat publike të ministrive flasin për një realizimi midis shifrës prej 90 përqindësh, burime pranë Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se realizimi i investimeve për qëllime publike si rrugë, shkolla, spitale, ujësjellës etj., nuk kalon gjysmën e planifikimit. Ndërkohë, Ministria e Transporteve, e cila ka pjesën më të madhe të këtyre investimeve, ka deklaruar shifrën e 80 përqindëshit për realizimin e rrugëve, ku është përqendruar pjesa më e madhe e fondeve. Por burime pranë kësaj ministrie pohojnë të kundërtën. Shifrat e financimit për këtë vit ishin planifikuar rreth 69.3 miliardë lekë për investime publike, ose dyfish më shumë se viti 2006. Por ashtu si viti i mëparshëm, shpenzimi i parave ka qenë i pamundur. Ministria e Financave theksoi se kapacitetet janë të këtij niveli dhe nuk mund të realizohen më shumë. Ndonëse kjo ministri nuk ka financuar që nga tetori asnjë projekt, përsëri realizimi i shpenzimeve ka qenë i ulët me programimin. Në krahasimi me vitet e kaluara, investimet reale janë më të larta, por mbledhja e parave në buxhet nuk është shoqëruar me qëllimin e tyre, shpenzimin në terren. Përgjegjësia në lidhje me mungesën e realizimit të investimeve nuk merret drejtpërdrejt nga asnjë ministri. Ministria e Financave shprehet se fondet janë të gatshme, por mungojnë kapacitetet, ndërkohë edhe ministritë e linjës nuk janë impenjuar në lidhje më realizimin e tyre. Shpenzimet e tjera si shpenzimet operative, pagat, pensionet etj., kanë një realizim shumë të mirë, pasi nuk ka punonjës që mund të refuzojë pagën apo shpërblimet apo shërbime të tjera. Investimet në tërësiTotali i shpenzimeve për vitin 2007 parashikohet të jetë afro 298 miliardë lekë, nga të cilat 221 miliardë planifikohet të jenë shpenzime korente. Pjesa tjetër prej 7.2 miliardësh është fondi rezervë i qeverisë dhe kontigjenca. Investimet publike parashikoheshin me një plan prej 69.3 miliardë lekë. Në shpenzimet operative përfshihen 60.8 miliardë lekë, që janë shpenzuar për pagat dhe sigurimet e punonjësve të administratës shtetërore të të gjithë niveleve. Në shifra shumë të larta, shteti ka vazhduar subvencionimin e skemave të sigurimeve, për të cilat në vitin 2007 është paraparë një financim prej afërsisht 64 miliardë lekësh. Subvencionimet kanë qenë të shumta. Janë 14 miliardë lekë të tjerë që janë ndarë, përkatësisht 1 miliard për pagesën e papunësisë, 10 miliardë për ndihmën ekonomike, 400 milionë për të përndjekurit, 2 miliardë për skemën e kompensimit të energjisë elektrike dhe 500 milionë të ndara për kompensimin e ish-pronarëve. Afërsisht 12 miliardë lekë të tjerë është vlera e grandit që pushteti qendror që është destinuar për pushtetin lokal. PërqendrimetInvestimet publike për këtë vit kishin një shifër rekord dhe e tillë do të jetë edhe për 2008-n, ku janë planifikuar 104 miliardë lekë investime publike, ose 10 për qind në raport me GDP-në, nga 7 për qind që ishte për 2007-n. Këtë vit filloi edhe rruga Durrës-Kukës, e cila në tërësi që nga muaji gusht merr rreth 20 milionë euro në muaj shpenzime. Financime janë parashikuar për superstradën Gjirokastër-Tepelenë, Dhërmi-Sarandë, Korçë-Qafë-Plloçë, ndërsa mbetet për t’i dhënë rrugë aksit rrugor Levan-Tepelenë. Ndërkohë që pjesë e rëndësishme janë edhe studimet për rrugë të tjera. Ende nuk është bërë i ditur studimi për aksin qendror të Jugut nga kompania gjermane, studim i cili shkurton distancën. Gjatë këtij viti ishte parashikuar financimi i projektit të rrugës së Arbrit, projekti i rrugës Kardhicë-Sarandë etj.    Gjunjëzohen Tatimet, minus 4 milionë dollarë për muajin nëntor   Thellohet mosrealizimi i të ardhurave në buxhet. Mosrealizimi i investimeve publike dhe KESH-i janë shkaqet kryesore të mosrealizimeve Erald Kapri Plani tatimor i muajit nëntor ka një mungesë prej 4 milionë dollarësh në krahasim me atë që ishte planifikuar për t’u derdhur në buxhet. Gjatë muajit nëntor janë mbledhur rreth 11.2 miliardë lekë, ndërkohë që plani ishte 11.6 miliardë lekë. Arsyeja kryesore e këtyre mungesave, sipas ekspertëve, janë mungesat e KESH-it që jep si korporata më e madhe në vend, por edhe mungesa e realizimit të investimeve publike. Sipas ekspertëve, në rast se investimet publike do të realizoheshin, plani tatimor do të dilte me plus, pra do të mblidheshin më shumë të ardhura. Mbledhja e zërave kryesorë ka dështuar kryesisht në taksat kryesore. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ose TVSH-ja është mbledhur 3 për qind më pak se planifikimi. Kjo situatë ka vështirësuar punën e tatimeve për shkak se kanë një plan më të lartë se në vitet e kaluara, por që nuk mundin të mbledhin të ardhurat e planifikuara.  Nga ana tjetër, kritikat nuk përjashtojnë edhe punën e administratës tatimore, e cila nuk është në lartësinë e duhur. Situata financiareTë dhëna zyrtare nga Ministria e Financave shprehen për gazetën “Albania” se gjatë periudhës së 11 muajve të parë plani i realizimit të të ardhurave nga sistemi tatimor është në masën e 95 përqindëshit. Kjo gropë në financat publike që ka ardhur nga mosrealizimi i planit, nxjerr në pah problemet në këtë sistem, i cili nuk arrin të përballojë ngarkesat e reja të shtimit të planeve. Periudha njëmbëdhjetëmujore e këtij viti ka pasur si objektiv që të mbledhë 116.3 miliardë lekë, por në fakt janë mbledhur vetëm 11 miliardë. Bilanci zyrtar tregon se asnjë taksë nuk është mbledhur sa parashikimi, duke përjashtuar vetëm tatimin mbi të ardhurat personale, e cila ka ardhur si rezultat i taksës së sheshtë. Në tërësi mungojnë rreth 70 milionë dollarë në buxhetin e shtetit, të cilat ishin planifikuar, por që nuk u arritën të mblidhen. Taksa e të Ardhurave Personale është realizuar me sukses, por kjo jo si shkak i miradministrimit, por si rezultat i Taksës së Sheshtë që preku edhe këtë taksë që nga korriku. Pagat e ulëta dhe të mesme paguajnë më shumë se më parë, duke sjellë ndjeshëm para në buxhet. Nga ana tjetër, pagat e larta kanë një tatim më të pakët. Taksat më të rëndësishme dhe me peshën më të madhe në mosrealizimin e të ardhurave janë tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi të ardhurat personale, të cilat së bashku zënë më pak se gjysmën e mosrealizimit total për dhjetë muaj. Pjesën tjetër thuajse e zë mosrealizimi në mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. VështirësitëDrejtoritë Rajonale të Tatimeve kanë dhënë alarmin dhe protestën e tyre mbi planet tatimore. Shumë prej tyre kanë kundërshtuar ashpër planet e miratuara nga Ministria e Financave, pasi sipas tyre, ato janë fiktive dhe nuk mund të plotësohen me punën e tyre. Drejtorë tatimesh në rrethe shprehen se u janë caktuar kuota TVSH-je mbi kapacitetin që ka rrethi në fjalë, po kështu edhe me taksa të tjera. Kanë shfaqur rezervat e tyre edhe vartësit, por që zëri nuk u është dëgjuar. Sipas vetë parashikimit të të ardhurave për muajin nëntor, del se rrethet janë në vështirësi dhe nuk plotësojë detyrimin që kanë ndaj planit tatimor. Ministri i Financave, Ridvan Bode, është shprehur se nuk do të kursejë shkurtimet nga Drejtoritë, të cilat nuk kanë realizuar punën që duhet. Sipas një vëzhgimi të bërë nga vetë Financat, duket se duhet të pushohen nga puna më shumë se tre të katërtat e drejtorëve të rretheve. Drejtoria më e rëndësishme, Tirana, e cila ka afërsisht gjysmën e kontributit për të dhënë në rang republike, është shprehur qartë se nuk ka mundur të realizojë detyrimet e saj si drejtori. Situata në vijim në financat publike parashikohet jo optimiste. Ministria e Financave ka parashikuar që për vitin në vijim do të mblidhen akoma më shumë para, çka do të thotë se deficiti do të rritet më tej. Sipas planit të qeverisë në buxhetin afatmesëm deri në vitin 2010 parashikohet që të ardhurat të rriten ndjeshëm, duke u nisur nga miradministrimi. Në fat, do të merren edhe masa të tjera drastike, kryesisht në luftën kundër informalitetit. Totali i të ardhurave të buxhetin parashikohen të arrijnë më shumë se 27 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Të ardhurat tatimore përbëjnë pjesën kryesore te të ardhurave totale, rreth 94 për qind dhe arrijnë në rreth 26 për qind të PBB në vitin 2010. Të përkthyera në shifra parash, do të thotë që tatimet do të kenë akoma më shumë vështirësi.  Kontributet e sigurimeve shoqërore thellojnë gropën Kontributet e sigurimeve shoqërore rezultojnë se mungojnë rreth 2.3 miliardë lekë në buxhet. Beteja e nisur nga qeveria për luftën ndaj punës së zezë duket se prej kohësh nuk ka dhenë rezultat konkret. Plani kishte parashikuar që të mblidheshin në total për gjithë periudhën 11-mujore rreth 36.6 miliardë lekë, por në fakt në buxhet janë arkëtuar 34.3 miliardë lekë. Të ardhurat nga taksa mbi të ardhurat personale janë rritur si rezultat i taksës së sheshtë, por futja në skemë e punonjësve të rinj nuk ka ndodhur, pavarësisht skemave të ashpra të qeverisë. Pak kohë më parë u miratuan dhe u futën në fuqi disa ligje të rëndësishme si pagat e referencës, përcaktimi për kontributet e sigurimeve shoqërore si dhe futja e urdhrit për kalimin e transaksioneve në rrugë bankare. Në këto kushte, kur prej vitesh nuk realizohet plani për mbledhjen e kontributeve për sigurime shoqërore, edhe institucionet ndërkombëtare kanë reaguar për më shumë përgjegjësi dhe reforma në këtë fushë. Banka Botërore ka bërë të ditur se sistemi i sigurimeve shoqërore duhet të reformohet. Nga ana tjetër, edhe pse në këto kushte nuk është realizuar plani, qeveria me taksën e sheshtë do të ulë kontributin me 3 herë. Kjo gjë shihet nga shumë ekonomistë si rrezik për sistemin. Gjithsesi, nga 1 janari kontributi për sigurimet shoqërore do të kushtojë 10 për qind nga 29 për qind që është sot. 

Publikuar në Pa kategori | më 26 Shkurt 2008 |

Shkruaj një koment