Ish-pronarët, brenda 2008-s përcaktohet fondi fizik

 Drejtori i AKKP-së, Maho, tha se pritet që brenda vitit tjetër do të krijohet fondi i tokave të lira juridike, ku do të përfshihen tokat e lira dhe tokat e ndara abuzivisht me Ligjin 7501  Erald Kapri  Fondi fizik i tokave për të kompensuar ish-pronarët pritet që të jetë gati brenda vitit të ardhshëm. Drejtori i Agjencisë së Pronave, Besnik Maho, bëri të ditur se me punën e nisur pritet që të finalizohet fondi fizik. Maho bëri të ditur se ky fond nuk ka të bëjë me gjendje fizike të pronave të paluajtshme, por me gjendjen juridike që kanë ato, që në fund të fundit ky është edhe interesi i ish-pronarëve dhe Agjencisë. Sipas tij, në bazë të pronave që do të ndodhen në inventar, do të planifikohet edhe kompensimi i pronarëve. Aktualisht Agjencia e Pronave ka nisur bashkëpunimin me ministritë e linjës, të cilat po fillojnë të dorëzojnë informacionet përkatëse. Pavarësisht se mendohen shifra të caktuara si fond për tokën, pritet që inventarizimi i këtyre pasurive t’u japë fund edhe dyshimeve në rast se ekziston mundësia fizike apo jo për ish-pronarët. Drejtori Besnik Maho u shpreh se në listën e tokave të lira juridikisht pritet që shtohen edhe tokat e lira të përcaktuar me ligj, por edhe pronat të cilat janë ndarë në mënyrë abuzive sipas Ligjit “Për tokën” 7501. Maho bëri të ditur se nuk kanë për t’u prekur vendimet sipas Ligjit 7501, por vetëm në rastet kur evidentohet se ka pasur abuzime, atëherë do të ndërhyhet dhe kjo pronë e përfituar padrejtësisht do të kalojë në fondin për kompensimin e ish-pronarëve. Procedura Institucionet duhet të paraqesin në AKKP listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në administrim apo pronësi të tyre, të shoqëruar me dosjen e pronës përkatëse. Dokumentacioni përkatës është miratuar me vendim të qeverisë dhe përmban të gjitha detajet për inventarin. Menjëherë pas marrjes në dorëzim të dosjeve, Agjencia e Pronave shqyrton dokumentacionin e dosjes së pronës të paraqitur nga institucionet. Shqyrtimi ka të bëjë nëse pronësia mbi këto pasuri u është njohur, kthyer apo kompensuar më parë subjekteve të shpronësuara. Nga ana tjetër shqyrton kërkesa apo ankesa për njohje të pronësisë për pronat, të cilat bëjnë pjesë në listën e pasurive, që do të shërbejnë si fond për kompensim fizik. Vendimi përfundimtar ka të bëjë me hedhjen në hartë të pronave të paraqitura. Në rast se për pronat, brenda fondit për kompensim fizik, evidentohen pretendime nga subjektet e shpronësuara, atëherë deri në nxjerrjen e vendimit për këto pretendime, pasuria në fjalë do të përjashtohet nga lista e fondit të pasurive të paluajtshme, që do të shërbejnë për kompensim fizik. Tokat Lista e tokave do të duhet edhe pak kohë që të merret vesh në rast se ato janë juridikisht të lira. Bëhet fjalë për një sasi totale prej 26 mijë hektarësh, të gatshëm për ish-pronarët, por ende nuk ka një konfirmim. Edhe vetë Agjencia e Pronave është në pritje të inventarit duke mos dashur t’i komentojë këto shifra. Një problem që paraqitet është se tokat në fjalë nuk janë cilësore dhe nuk do të mjaftojë për kompensimin e ish-pronarëve. Rreth 16 944 hektarë ose 67 për qind e tokave të pandara të cilat janë përcaktuar për ish-pronarët, ndodhen në zona malore. Tokat e pandara, që konsiderohen cilësore sepse kanë një sipërfaqe më të madhe se 10 ha, janë rreth 25 325 hektarë të shpërndara në 32 rrethe të vendit. Këto toka që konsiderohen si masive ndodhen në 161 komuna dhe bashki dhe në 571 fshatra. Kjo sasi toke zë 1\4 e të gjithë fondit të tokave të pandara të cilat kanë një sipërfaqe prej 111 213 ha. Duket se rrethet e Sarandës, Delvinës dhe Lezhës nuk kanë tokë të pandarë. Boniteti i tokave është i ulët në rang vendi.  Anulimi i Ligjit 7501 nuk prek vendimet e kaluara Anulimi i Ligjit 7501 “Për tokën” nuk do të preke vendimet e mëparshme të këtij ligj. Me pak fjalë, mbas datës 1 dhjetor nuk do të ndahet më asnjë pëllëmbë tokë në bazë të këtij ligji por vendimet e mëparshme të këtij ligji do të preken për asnjë qëllim vetëm në rast se evidentohet se është ndatë tokë në mënyrë abuzive. Pavarësisht se flitet me përafërsi se janë ndarë 563 mijë hektarë tokë bujqësore sipas Ligjit 7051, ende nuk dihet se saktësi se sa tokë është ndarë në bazë të këtij ligji. Sipas relacionit të amendamentit të deputetit republikan Arian Madhi, të paraqitur në Parlament dhe që pritet të miratohet të hënën, shprehet se Ligji 7501, i cili u miratua në ditët e para të pluralizmit, i ka dhënë efektet e veta juridike pasi procesi i ndarjes së sipërfaqeve për subjektet e përcaktuara në ligj ka përfunduar duke bërë që ky ligj të realizojë objektivin e tij. Të dhënat paraprake flasin për një sasi toke e cila kap shifrën e 563 mijë hektarësh, që është ndarë sipas Ligjit 7501, ndërkohë që e pandarë ose në pronësi të shtetit mbeten rreth 137 mijë hektarë.  Fondi financiar me paratë e legalizimeve  Fondi fizik për kompensimin e ish-pronarëve do të përbëhet nga tokat e lira juridike, por pjesa që do të mbetet do të jetë kompensim financiar që do të merret nga paratë e legalizimeve dhe buxheti i shtetit. Procesi i legalizimit do të mbledhë edhe një shumë të caktuara parash, të cilat do të ndahen për ish-pronarët, që toka e tyre është zënë për ndërtime informale. ALUIZNI ka saktësuar vlerat që do të paguajnë pronarët e banesave informale në procesin e legalizimit. Drafti ka kaluar në Këshillin e Ministrave, i cili miratoi tarifat e reja për mbledhjen, administrimin dhe përdorimin e të ardhurave të përfituara nga ligji për legalizimet. Në bazë të këtij projekti, tarifa e shërbimeve që do të duhet të paguajnë qytetarët e interesuar për legalizimin e objektit të tyre varion nga 1000 deri në 3000 lekë të reja. Gjithsesi, tarifa e saktë e shërbimit që do të duhet të paguajë një qytetar do të përcaktohet nga këshillat bashkiakë apo të komunave. Tarifa e shërbimeve është një vlerë simbolike që paguhet për të gjithë punën e kryer nga administrata e Agjencisë së Legalizimeve për arritjen e legalizimit të objektit të ndërtuar pa leje. Përfitimi i parave nga procesi i legalizimit të zonave informale do të kenë një formulë të re të përcaktuar me vendim të ri të Këshillit të Ministrave.    

Publikuar në Pa kategori | më 26 Shkurt 2008 |

Shkruaj një koment