Odiseja e grabitjeve të floririt shqiptar

  Historia e arit shqiptar, që nga arratisja e mbretit Zog, pushtimi gjerman, konfiskimi anglez, ruajtja në malet e Skraparit dhe vjedhja skandaloze në tunelet e Kërrabës  

Shaban Sulçe

 Edhe pse deri diku modest për nga sasia krahasuar me vendet e tjera europiane, thesari i shtetit shqiptar ka qenë vazhdimisht i lakmuar dhe objekt i grabitjeve masakruese në periudha të ndryshme. Floriri i vendit të shqiponjave përmban një historik të denjë për të sfiduar aventurat e legjendës së Indiana Jonesit. Odisetë e gjata, me intriga, pushtues, skandale, arratisje, arrestime, gjyqe kombëtare dhe ndërkombëtare kanë shoqëruar për vite me radhë thesarin shqiptar. Por pavarësisht këtij skenari të larmishëm, ajo që dihet është se thesari shqiptar nuk ka rënë kurrë “rehat” dhe fati i tij ka qenë i hidhur. Ethet e arit kanë bërë që të bjerë pre e vazhdueshme e gllabërimeve të paskrupullta të lakmuesve të ndryshëm. Janë katër momente kulmore, në të cilat janë shënuar grabitjet më të mëdha të thesarit të florinjtë shqiptar. Zbrazjen e parë thesari shqiptar e pësoi gjatë arratisjes së mbretit Zog. Odiseja do të vazhdonte më pas me rrëmbimin e thesarit nga pushtuesit nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa shteti shqiptar priste rikthimin e tij pas luftës, incidenti në Kanalin e Korfuzit i kushtoi bllokimin e floririt nga qeveria angleze. Dhe si të mos mjaftonte kjo, 50 vjet më vonë, në një kohë kur shteti shqiptar ishte shumë më i fuqishëm se në periudhat në fjalë, një grabitje spektakolare në tunelet e Kërrabës i kushtoi thesarit grabitjen e 340 kilogramëve flori. Zbrazja e parë pas arratisjes së ZogutAkti i parë i odisesë së thesarit u shënua në një datë të paharrueshme për popullin shqiptar, pikërisht më 7 Prill 1939. Në këtë datë Shqipëria pushtua ushtarakisht nga Italia e Duçes. Ky pushtim e detyroi mbretin Zog që të niste eksodin shumëvjeçar në vende të ndryshme të botës. Por arratisja e mbretit u shoqërua edhe me një zbrazje të konsiderueshme të thesarit të shtetit, i cili mori me vete rreth 183 kg ar. Një gjë e tillë është vërtetuar edhe në dokumentet e kohës. Sipas dokumenteve zyrtare, ministri i Financave, Kolë Thaçi, ka tërhequr shumën e 448 535 frangave ari, të cilat ishin në llogari të mbretit Zog. Mbreti tërhoqi nga arka e shtetit shqiptar shumën e përafërt të 567 mijë frangave ar, që përbënin 183 kilogramë ar. Ky veprim u trumbetua fort nga qeveria komuniste, e cila erdhi në pushtet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e cila fajësoi mbretin Zog për grabitjen e thesarit të Shqipërisë. Grabitja më e madheGrabitja më e madhe që i është bërë thesarit shqiptar ndodhi pikërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kësaj radhe lakmuesit ishin pushtuesit gjermanë. Pavarësisht humbjes së luftës, ata arritën që të ktheheshin në Gjermani me një sasi të “llahtarshme” floriri, rreth 2500 kilogramë, të cilin e kishin grabitur pas kapitullimit të Italisë pushtuese.  Kjo sasi ari përbëhej nga 198 kallëpe ari, 7 copë shufra, 2 copa ari dhe 22 qese monedha ari. Të gjitha sasitë ishin në flori aliazh dhe flori safi. Sasia e lartpërmendur e arit u bart nga gjermanët në 55 arka të fashuara me çelik, pas kapitullimit të Italisë. Para këtij transferimi ajo ishte depozituar në “Banka d’Italia” të Romës dhe ishte administruar nga gjermanët pa u keqpërdorur. Gjermanët e transferuan këtë thesar drejt Gjermanisë, pasi u tërhoqën nga Italia me destinacion Berlinin, me qëllimin që ai të mos binte në dorë të aleatëve antifashistë. Thesari në duart e anglezëvePas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, thesari shqiptar i grabitur nga pushtuesit gjermanë u konfiskua nga britanikët në kriporen Merkers të Gjermanisë. Por ndërsa shteti shqiptar dhe qeveria komuniste e sapoformuar priste rikthimin e kësaj sasie floriri, incidenti i ndodhur në Korfuz përmbysi të gjitha parashikimet. Pas mbytjes së dy anijeve britanike në këtë incident, Anglia pretendoi dëmshpërblim financiar nga qeveria shqiptare, duke e akuzuar këtë të fundit për vendosjen e bombave që shkaktuan tragjedinë. Dëmshpërblimi u refuzua nga qeveria shqiptare, por pavarësisht edhe seancave të gjata gjyqësore ndërkombëtare, Anglia refuzoi kthimin e sasisë së floririt shtetit shqiptar. Kjo sasi përbëhej nga kartëmonedha shqiptare në apoena prej 5 dhe 10 lekësh, si dhe apoena prej 5, 20, 100 frangash shqiptare, me vlerë të përgjithshme 120 513 902 franga shqiptare. Gjithashtu ajo përbehej nga monedha të farkëtuara të arit të paketuar në 23 thasë të vegjël, me vlerë 435 070 franga shqiptare. 49 shufra të paketuara të arit dhe 29 shufra të paketuara në sëndukë, që sipas vlerësimeve italiane kanë vlerë 7 627 765,90 franga shqiptare. Sasia e pakove në kartëmonedha si dhe e thasëve të vegjël në sëndukë me shufra të arit, është përafërsisht 3 tonë ar dhe 12 tonë kartëmonedha.

Ruajtja e thesarit në malet e Skraparit

Sasia e mbetur pas dy grabitjeve të mëparshme u mirëmenaxhua dhe u ruajt në kushte të rrepta sigurie nga regjimi komunist për 45 vjet me radhë. Thesari i shtetit shqiptar ruhej në malet e Skraparit, nën masa të rrepta sigurie dhe informacioni për të ishte sekret dhe mjaft i kufizuar. Gjatë regjimit komunist, nga drejtuesit e atëhershëm të shtetit ishin kryer disa tërheqje në sasi të vogla shpenzimi, por gjithsesi ishin të dokumentuara dhe përdoreshin për nevojat e shtetit. Pas viteve ‘90, sipas dëshmive të shumta të banorëve të Skraparit, thesari u transferua me kamionë ushtarakë. Destinacioni i tij i ardhshëm do të ishte Kërraba, atje ku edhe pësoi grabitjen e radhës.  Skandali i KërrabësSkandali i radhës që tronditi thesarin shqiptar ishte grabitja e bujshme që ndodhi në vitin 1998 në tunelet e Kërrabës, vend ku ruhej pas transferimit nga Skrapari. Vjedhja e këtij thesari, e cila u zbulua në vitin 2000, arriti në shifrën e 340 kilogramëve flori, dhe çështja pësoi një jehonë të madhe, duke alarmuar të gjitha strukturat e shtetit. Fati i kësaj sasie të konsiderueshme ari ishte me të vërtetë për të ardhur keq, pasi grabitja e tij ishte masive dhe nga persona të ndryshëm. Kjo bëri që të mos identifikoheshin autorët dhe ideatorët e vërtetë të grabitjes së kësaj pasurie të llahtarshme. Të vetmit që e pësuan nga kjo grabitje ishin pesë persona, të cilët u dënuan në total me 21 vjet. Më 7 shkurt të vitit 2001, pas një procesi gati njëvjeçar, Gjykata e Tiranës vendosi dënimin e pesë të pandehurve, Ahmet Hyka, Enver Hyka, Pëllumb Dalti, Arjan Bishqemi dhe Blerim Haka, nën akuzën e “vjedhjes së thesarit të shtetit” në bashkëpunim. Hetimet e zhvilluara konfirmuan se vjedhja e tunelit ku ruhej thesari ka filluar më 13 mars të vitit 1997 dhe kishte ndodhur për disa muaj me radhë.   Shifra183 kg është sasia e arit që mori me vete mbreti Zog në arratisjen e tij pas pushtimit nga Italia 2500 kg është sasia e arit që pushtuesit gjermanë grabitën në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore 340 kg është sasia e arit që u grabit në tunelet e Kërrabës, ku fshihej thesari i shtetit shqiptar në vitin 1998 5 është numri i personave që u dënuan nga gjykata shqiptare për vjedhjen e thesarit në tunelet e Kërrabës 1997 është viti në të cilin, sipas hetimeve, rezultoi që të kishte nisur vjedhja e thesarit në tunelet e Kërrabës

Publikuar në Pa kategori | më 26 Shkurt 2008 |

Shkruaj një koment