Qeveria i heq Prokurorisë të drejtën per te burgosurit

 Ulen kompetencat e Prokurorisë në lidhje me të burgosurit. Prokurorët nuk kanë të drejtë të kërkojnë uljen e dënimeve. Qeveria i heq të drejtën Drejtorisë së Burgjeve për të shpërblyer të burgosurit: “Ka pasur abuzime”. Erald Kapri Projektligji i qeverisë në lidhje me të drejtat e të dënuarve në burgjet shqiptare i ka kaluar Kuvendit ku pritet edhe miratimi i tij. Projektligji ka disa ndryshime rrënjësore në lidhje me të drejtat e të burgosurve. Projektligji i ri ka shfuqizuar Nenin 62 të ligjit të vjetër, i cili parashikonte shpërblime për të burgosurit në marrëdhëniet brenda burgut. Ligji parashikon që të dënuarit mund t’i jepet shpërblim për zbatimin shembullor të rregullave, për gjeste të veçanta me karakter human, për aktivizimin e mirë në punë dhe në veprimtaritë e tjera në grup. Shpërblimet dhe organet kompetente që i japin ato parashikohen në këtë ligj dhe në rregulloren e brendshme. Kjo procedurë shpërblimi është shfuqizuar duke mos u lënë të burgosurve mundësi që me punën e tyre, pendimin, aktivitetin brenda burgut, të kërkojnë nëpërmjet organeve kompetente uljen e dënimit në bazë të sjelljes së tij.  Sipas hartuesve të këtij projektligji, kjo procedurë është bërë e tillë për shkak të abuzimeve që janë bërë nga organet në lidhje me shpërblimet. Sipas tyre, kjo është paraqitur edhe në raportet e Ministrisë së Drejtësisë ku titullarë burgjesh kanë paraqitur kërkesa për ulje dënimesh dhe shpërblimesh të padrejta. Projektligji i ri sipas hartuesve u pret rrugën këtyre abuzimeve që janë bërë për të burgosur të caktuar. Ndërhyrjet e prokurorëvePo kështu, edhe Prokuroria shqiptare nuk do të ketë të njëjtat kompetenca në lidhje me të burgosurit shqiptarë. Projektligji i ri i ka hequr çdo të drejtë prokurorëve shqiptarë për të ndërhyrë në dënimin që po kryhet nga të burgosurit. Ligji që është ende në fuqi shprehet konktretisht se, “ulja e dënimit bëhet me vendim të gjykatës mbi kërkesën e të dënuarit, të prokurorit ose të drejtorit të institucionit”. Ndërsa në projektligjin që pritet të kalojë në Kuvend thuhet se, “ulja e dënimit bëhet me vendim të gjykatës, në bazë të kërkesës së të dënuarit apo të përfaqësuesit të tij, ose të drejtorit të institucionit”. Projektligji i ri u heq çdo të drejtë prokurorëve që të ndërhyjnë në marrëdhënien gjykatës - i dënuar. Ndërkohë, rregullat e tjera nuk janë prekur. Të dënuarit që zbatojnë rregullat dhe kanë një pjesëmarrje shembullore në veprimtaritë trajtuese, duke dhënë prova për riintegrim në shoqëri, mund të përfitojnë një ose disa ulje, deri 90 ditë në çdo vit të vuajtjes së dënimit. Në burgjet e sigurisë së lartë ulja e dënimit bëhet deri 45 ditë në vit. Për dhënien e këtij shpërblimi të veçantë vlerësohet qëndrimi i të dënuarit nga ulja e mëparshme ose gjatë 12 muajve të fundit.Ku ulen kompetencatKrahas pjesës së heqjes së të drejtës së prokurorëve për të kërkuar ulje dënimi për të burgosur të caktuar, Prokurorisë i janë hequr edhe disa kompetenca të tjera. Prokurorët nuk do të kenë më të drejtë të mbikëqyrin burgjet. Ligji aktual shprehet se zbatimi i ligjit dhe rregullave në institucionet e vuajtjes së dënimit, realizimi dhe mbrojtja e të drejtave të të dënuarve mbikëqyret nga prokurori i caktuar posaçërisht në prokurorinë e territorit në të cilin ndodhet institucioni. Në burgjet e sigurisë së lartë mbikëqyrja bëhet nga prokurorë të autorizuar nga prokurori i Përgjithshëm. Në të gjitha kategoritë e institucioneve për zbatimin e ligjit dhe rregullave përkatëse, të drejtën e kontrollit e ka edhe Këshilli i Mbikëqyrjes, krijuar në bazë të ligjit “Për vënien në ekzekutim të vendimeve penale”. Mbi bazë kërkese, ankese ose kryesisht, ai ka të drejtë të bëjë të gjitha verifikimet e nevojshme dhe, mbi bazën e tyre, të kërkojë marrjen e masave nga drejtoria e institucionit, t’i rekomandojë prokurorit ushtrimin e kompetencave ose t’i paraqesë kërkesa drejtpërdrejt gjykatës kompetente. Kjo pjesë e mësipërme nuk përfshihet dhe është shfuqizuar në projektligjin e ri. Kur kërkesa e prokurorit nuk merret në konsideratë dhe në të gjitha rastet kur rivendosja e ligjit, rregullit apo e së drejtës të shkelur është kompetencë e gjykatës sipas kësaj ligje ose organeve të tjera kompetente, çështja u paraqitet atyre për shqyrtim, por tashmë e drejta për t’iu drejtuar gjykatës nuk do të jetë në dorën e prokurorëve. Projektligji nuk njeh edhe të drejtën që për konstatimet dhe për parregullsitë apo pengesat në drejtim të kompetencës së tij të mbikëqyrjes, prokurori paraqet kërkesë te drejtori i institucionit për rivendosjen e menjëhershme të ligjit apo rregullit të shkelur, për realizimin e të drejtës së të dënuarit, si dhe nisjen e procedimit disiplinor, administrativ apo të zhdëmtimit ndaj shkaktarëve, përveç kur është vendi për procedim penal.   Format e mbikëqyrjes së prokurorit    Mbikëqyrja realizohet nëpërmjet:  1. Marrjes dhe evidentimit të njoftimit për ekzekutimin e vendimit me burgim nga administrata e institucionit;  2. Pranimit të ankesave dhe kërkesave nga të dënuarit, me shkrim ose drejtpërdrejt;  3. Marrjes së informacionit, ankesave dhe kërkesave të të dënuarve, kërkesave të Këshillit të Mbikëqyrjes ose nga persona që kanë statusin e vizitorit, sipas nenit 41 të këtij ligji ose të organeve shtetërore apo organizatave joqeveritare, të cilat kanë kontrolluar apo vizituar institucionin sipas kompetencës që u njeh ligji ose me autorizim, si dhe nga avokati i të dënuarit;  4. Kërkimit të informacioneve nga administrata e institucionit;  5. Verifikimit mbi dokumente, në objekte, pajisje dhe mjedise brenda dhe jashtë institucionit, që kanë lidhje me të dënuarit. Kur është vendi, bëhen verifikime edhe në vetë personin e dënuar ose punonjësve të institucionit.  Për realizimin e mbikëqyrjes prokurori mund të marrë edhe specialistë të fushave përkatëse.     Shpërblimi i vetëm, lejet 7-ditore për të shkuar në familje Shpërblimi i vetëm që mund të përfitojë një i burgosur është një leje për të shkuar pranë familjes në raste të veçanta dhe jo më shumë se 7 ditë. Të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund t’u japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit. Për të dënuarit e mitur, kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë, për çdo rast të dhënies së saj dhe në total nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit. Drejtori i institucionit mund t’u japë të dënuarve dhe të paraburgosurve leje të veçantë në rast të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor apo të ngjarjeve të rëndësishme familjare si vdekje, lindje apo martesa. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit. Leja e veçantë mund të jepet deri në 7 ditë dhe, me kërkesë të të dënuarit, mund të zgjatet për aq kohë sa e diktojnë rrethanat. Në çdo rast, kohëzgjatja e lejes së veçantë nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë. Në rast se dhënia e lejes refuzohet nga drejtori i institucionit, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes. Dhënia e lejes së veçantë i komunikohet menjëherë strukturave të policisë së shtetit, ku do të qëndrojë i dënuari.  Paradoksi, nënat e dënuara nuk kanë favorizim Projektligji i ri ka shfuqizuar një pjesë të nenit përsa u përket të dënuarve të mitur apo grave nëna. Ligji aktual përcaktonte se për të dënuarit e mitur dhe për gratë që kanë fëmijë të mitur bëhet një program i posaçëm dhe favorizues për lidhjet me familjen. Pikërisht kjo pikë, që përcaktonte edhe këtë program për nënat e dënuara dhe të miturit, është hequr. Projektligji nuk ka njohur specifikisht lehtësira të tjera që ligji duhet t’ia njohë këtyre kategorive të burgosurish. Pjesa tjetër që lidh familjet me të burgosurit ka mbetur e paprekur, si i dënuari mund të informojë menjëherë familjarët për futjen e tij në një institucion ose kur transferohet prej tij. Në rast vdekjeje ose sëmundjeje të rëndë fizike ose psikike të një të dënuari, duhet të njoftohen menjëherë familjarët. Institucioni njofton menjëherë të dënuarin kur vihet në dijeni për vdekjen e të afërmëve të tij. Për të dënuarit e sëmurë rëndë ose me shqetësime psikike, njoftimi bëhet vetëm me pëlqimin e mjekut. Vizitat në burg, në dorën e drejtorit Drejtori i burgut është i vetmi autoritet që mund të firmosë një autorizim që mund të lejojë çdo qytetar të takojë të burgosur. Për një zbatim praktik janë thjeshtësuar procedurat e vizitave në burg. Një kategori e caktuar njerëzish, si krerët e shtetit, deputetët etj, mund të vizitojnë burgun pa autorizim por familiarët e të burgosurve duhet të ketë autorizimin e drejtorir të burgut për të hyrë brenda. Në rast se drejtori i burgut refuzon dhënien e autorizimit pa ndonjë shkak të ligjshëm, atëhere çdo person ka të drejtë të ankohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për ta ndjekur administrativisht. Në rast se mungon përgjigjja nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, atëhere mund t’i drejtoheni gjykatës.  

Publikuar në Pa kategori | më 26 Shkurt 2008 |

Shkruaj një koment