Topi: Rama më refuzoi telefonatën për Kryeprokuroren
Për herë të parë, Presidenti i Republikës Bamir Topi zbardh prapaskenat e zgjedhjes së Kryeprokurores Ina Rama. Një gjë të tillë, Topi e ka bërë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ku ka zbuluar rrethanat dhe zhvillimet e vrullshme deri në marrjen e vendimit për të zgjdhur pasuesen e Sollakut, në krye të institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Momentet interesante të “rrëfimit” të Topit janë të lidhura me pritjen në zyrën presidenciale të kryeministrit Berisha, por edhe me mënyrën se si kreu i PS-së Edi Rama dhe kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj refuzuan ti përgjigjeshin thirrjeve të tij telefonike për të zgjedhur Kryeprokuroren e re. “Lidhur me atë ç’ka erdhi më mbrapa me zgjedhjen e Kryeprokurores, që ka ardhur pak a shumë në sinkron, pra momenti i shkarkimit i hapi rrugë momentit të dekretimit, kjo sigurisht nuk ka ndodhur në orën pesë të mëngjesit, sikurse është deklaruar nga segmente të caktuara të politikës. Për hir të transparences, kjo ka ndodhur me saktësi në orën 9.15 minuta të mëngjesit të ditës së nesërme, ku unë kam tentuar të komunikoj edhe me përfaqësues të opozitës, po tregohem shumë analitik, sepse është moment shumë i rëndësishëm, kam pritur zotin Berisha në zyrë, kam tentuar të lidhem me kryetarin e opozitës, zotin Rama dhe mbas një komunikimi me sekretaren e tij, më është bërë e ditur që zoti Rama ndodhet për vizitë në Bon të Gjermanisë. Kam tentuar të lidhem me zonjën Leskaj, e cila nuk i është përgjigjur kësaj telefonate, nuk e di për çfarë arsye, sepse marrëdhëniet janë mjaft të mira me kryetaren e grupit parlamentar të Partisë Socialiste”, është shprehur Presidenti i Republikës. I pyetur nga “Zëri i Amerikës”, për një çështje të cilën e ka akuzuar mjaft shpesh opozita, pra atë të mosmbajtjes së fjalës përpara Solanës për shkarkimin e Sollakut, Topi ka thënë se ka vepruar normalisht. “Nuk ka ndodhur absolutisht asgjë jashtë normales. Ka qenë një komunikim shumë luajal në konferencën për shtyp me z. Solana në vijim të një pyetje që “e keni shkarkuar z. Sollaku?”. Në atë moment kur kam folur, sigurisht që nuk kisha bërë asnjë veprim lidhur me shkarkimin e z. Sollaku. Kur kam thënë që raporti është në përfundim, kam qenë mëse i drejtëpërdrejtë dhe të bësh një veprim 24 orë mbrapa nuk është shkelje, nuk është një veprim absolutisht kundër atyre që kam deklaruar, sepse e kam kryer 24 orë mbrapa. Do të thotë që në përfundim të raportit të ekspertëve të cilët kanë punuar të pavarur nga njëri-tjetri, pa e njohur njëri-tjetrin, kanë arritur në përfundime kryesisht të vërtetuara në raportin e Komisionit Parlamentar. Gjithashtu Presidenti Topi u shpreh se i kishte qëndruar koherent konsultimeve që kishte zhvilluar me partitë politike, duke e zgjedhur Kryeprokuroren e re, brenda sistemit, ashtu edhe siç kishte deklaruar në këto bisedime.